Vrasja që tronditi Londrën, shqiptari: I preva fytin gruas se më gënjeu për virgjërinë

Në janar të këtij viti, Anglia u trondit nga një lajm i tmerrshëm, ku një shqiptar i preu fytin gruas vetëm 3 muaj pas martesës.
Bëhet fjalë për Arben Rexhën, i cili masakroi gruan e tij, në shtëpinë ku jetonin në Graham Street, Islington. Mësohet se pas disa seancave gjyqësore, 32-vjeçari ka pranuar krimin duke dhënë edhe motivet që e çuan për të ndërmarrë këtë akt të rëndë.

Mësohet se ai ka deklaruar para gjykatës, se e ka vrarë bashkëshorten pasi ka pasur dyshime se ajo e ka gënjyer kur janë martuar, duke i thënë se ishte e virgjër. Viktima Elidona Demiraj, la Shqipërinë për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe, ku u martua me 32-vjeçarin.

Por, vetëm 3 muaj më pas, ajo u masakruar nga bashkëshorti i saj, në mënyrë çnjerëzore, duke i prerë fytin. Një dëshmitar është shprehur se Rexha ishte i bindur se gruaja e tij, kishte pasur një lidhje të mëparshme, dhe nga ajo lidhje kishte pasur edhe një abort.

‘Ajo kishte qenë me të, ishin martuar dhe jetonin së bashku”, është shprehur prokurori i çështjes Richard Christie, duke shtuar se martesa në fjalë ishte bërë nëpërmjet personave të tretë, pra me mblesëri, transmeton Gazeta Express.

Prokurori ka bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku ata kishin jetuar sëbashku për 12 javë. Por, nga problemet që kishin pasur kohët e fundit, 32-vjeçari ishte larguar për të jetuar te disa miq të tij në Luton. Ditët e fundit, ai ishte kthyer në shtëpi, dhe kishte nisur të jetonte përsëri me të, por pa hequr dyshimet se ajo po dilte edhe me dikë tjetër.

Prokurori ka sqaruar se ai është bërë xheloz, pas dyshimeve se Elidona po dilte me dikë tjetër, duke bërë të ndërmarrë aktin e rëndë ndaj bashkëshortes.

Por, në polici, pas vrasjes Rexha kishte deklaruar se ishte i fiksuar me marrëdhëniet e mëparshme të Elidonës dhe nëse ajo kishte pasur një abort. Ai gjithashtu u tha atyre se ai mendonte se ishte përdhunuar nga një burrë tjetër. 32-vjeçari kishte qenë aq shumë i fiksuar pas virgjërisë së saj, saqë ishte futur në internet për të parë sesi dallohet nëse dikush ishte e virgjër apo jo.

Rexha masakroi gruan e tij me thikë në janar të këtij viti, e cila u gjet në shtrat të çiftit me plagë të shumëfishta në qafë dhe krahë. Autori ka pranuar vrasjen, ndërsa pritet të dënohet më 2 shkurt, pas vlerësimet psikologjike që janë duke u kryer për të.