Moti sa vjen e përkeqësohet. Dukagjini tri ditë pa energji elektrike, banorët kërkojnë ndihmë

Duket se situata e motit në vend sa vjen e përkeqësohet. Pak minuta më parë në një lidhje direkte me televizionin Ora News, një banor nga fshati Theth i zonës së Dukagjinit është shprehur se kanë tri ditë pa energji elektrike si dhe ka kërkuar ndihmën e autoriteteve pasi ndodhen të bllokuar.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e qarkut Shkodër është përfshirë nga reshjet e dëborës dhe si pasojë janë bllokuar disa akse rrugore. Në disa prej tyre, trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm, çka e bën të vështirë kalimin dhe dhënien e ndihmës.

Sa i përket rastit të elektriçistëve të djegur që tentuan të rikthenin rrymën elektrike në nënstacionin “Shkodra 1” dy ditë më parë, OSHEE ka marrë përsipër kurimin e tyre në spitalin “Sant Eugenio” të Romës.

Me anë të një njoftimi, kompania thotë se do të mbulojë financiarisht dërgimin ditën e hënë të dy të lënduarve me avion special mjekësor drejt spitalit “Sant Eugenio” të Romës dhe kurimin në spital për djegiet që kanë pësuar.

“Gjithashtu, OSHEE ka qëndruar pranë familjes së elektricistit Sabri Vlinga i cili humbi jetën në krye të detyrës ndërsa punonte për riparimin e një defekti në fiderin e Roskovecit. Kompania ka vendosur të punësojë pranë OSHEE-së dega Fier bashkëshorten e të ndjerit, Mirelën. OSHEE do të paguajë plotësisht edhe pagesën e studimeve të vajzës së të ndjerit, Donaldës, e cila ndjek studimet për Financë-Bankë”, thuhet në njoftim.