Asambleja i vë vulën: 70.000 franga për ata që shkojnë të jetojnë në fshatin zviceran

Lajmi për fshatin zviceran që ofronte shpërblim të majmë për banorët që shkonin të jetonin atje ka pushtuar rrjetet sociale në Shqipëri dhe jo vetëm, por tashmë udheqësit vendorë duket se kanë dhënë një lajm zyrtar që do të gëzojë njerëz nga e gjithë bota.
Pas mbledhjes së asamblesë së komunës Albinen në Zvicër,njerëzit që banojnë atje kanë vendosur të paguajnë cdokënd që do të zhvendoset në qytet.

Nga 100 pjesëmarrës në votim, 71 kanë votuar pro dhe 29 kundër iniciativës për popullimin e fshatit të kërcënuar nga zbrazja, ndërkohë që kryetari i komunës shprehet i kënaqur me rezultatin.

Në këtë fshat përrallor jetojnë sot vetëm 241 vetë, dhe syresh vetëm 25 janë nën 20 vjeç.

Për këtë arsye banorët e këtij fshati kanë nisur nismën për të tërhequr banorë të rinj duke ofruar shpërblim në të holla.

Një familje prej katër personash që shkon të banojë në këtë fshat mund të marrë deri në 70.000 franga (rreth 60.000 euro).

Propozimi për stimulimin e popullimit të fshatit ka bërë jehonë të madhe jo vetëm në Zvicër por pothuaj në gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë.

Por tanimë duket se gjërat janë zyrtare dhe autoritetet do të shpërblejnë banorët e rinj, të cilët nuk duhet të jenë mbi 45 vjeç.